Këshilli Bashkiak pro rritjes së çmimit të ujit

RTV KLAN 2017-07-26

Views 2

Këshilli Bashkiak i thotë po rritjes së çmimit të ujit të pijshëm me 20 lekë. Me 25 votat e Partisë Socialiste, 2 të Lëvizjes Socialiste për Integrim , 3 të PDIU-s dhe 1 të FRD-së, çmimi i një metër kub ujë shkon nga 45 në 65 lekë. Projektvendimi i Bashkisë së Tiranës morri kuorumin e nevojshëm të votave, 31.

Votimi për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm u bojkotua nga këshilltarët e Partisë Demokratike. Ata u larguan nga salla që në nisje të seancës.

Edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim, 11 nga 13 këshilltarët e saj nuk morën pjesë në votim. Ajo u përfaqësua me këshilltaren e sapo betuar Genta Mezini dhe Agim Krajën.
Pa u hedhur në votë projektvendimi për çmimin e ri që do të paguajnë qytetarët për ujin e pijshëm, Erion Veliaj, tha se investimi prej 220 milionë eurosh që nga shfrytëzimi i burimeve të reja ujore e deri te rrjeti i shpërndarjes, do ta shndërrojë Tiranë në një qytet ku uji nuk do të mungojë në asnjë orë të ditës.

Në të njëjtën kohë që Këshilli Bashkiak i thoshte po rritjes me 20 lekë për metër kub ujë çmimit të ujit, shoqëria civile protestonte kundër projektvendimit.
Vendimi ku u miratuan edhe propozimet e LSI-së dhe PDIU-s për përjashtimin e disa kategorive në nevojë si të verbrit, personat me aftësi ndryshe apo familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe pensione invaliditeti do ti kalojë Entit Rregullator të Ujit, institucioni që miraton ose jo propozimin e Bashkisë Tiranë. Këshilli Bashkiak miratoi edhe 12 vendime të tjera mes të cilave aprovimin e 1 mijë kredive buta për 1 mijë familje të reja dhe përmirësimin e infrastrukturës arsimore përmes partneritetit publik-privat.

Share This Video


Download

  
Report form