ELBASAN- Temperaturat e larta dhe thatësira e tej-zgjatur ka vënë në vështirësi mijëra fermerë në qarkun e Elbasanit.
Dy lumenjtë që lagin këtë qark, Shkumbini dhe Devolli, janë në minimumin e tyre historik.
Në zonat kodrinore dhe malore thatësira djeg akoma më shumë. Veli Dika është rasti i një fermeri nga Funari që po lufton me thatësirën ditë e natë. Ai ujit me kova pa pushim plantacionin me drurë, tashmë, jo për të përfituar frutat e tyre, por për ti mbrojtur nga tharja që ti marrë prodhim në vitet në vazhdim.
Veliu kërkon ndihmë nga shteti të shpëtojë pemët që po shkojnë drejt tharjes. Zgjidhja e menjëhershme për të do të ishte një mjet me një sasi uji që do ti sillte shpëtimin e pemëve nga tharja.