Tarifat vjetore për studentët që do nisin universitetin variojnë nga 25 mijë lekë në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë për ciklin e parë të studimeve, deri në 40 mijë lekë në Fakultetin e Drejtësisë dhe atë të Shkencave Sociale.
Ndërkohë, për ciklin e dytë të studimeve studentët do të duhet të paguajnë sipas profilit që do të ndjekin nga 63 mijë deri në 204 mijë lekë.
Në universitetet publike do të pranohen 22.420 maturantë, pa përfshirë kuotat e miratuara për shqiptarët nga trojet. UT do të pranojë 5378 studentë, Universiteti i Mjekësisë 817 studentë, Politekniku 1407 kuota pranimi, 2679 studentë do pranohen nga Universiteti Bujqësor, ndërsa Artet kanë 219 kuota për studentët dhe Sportet pranojnë 300 studentë. Ndërkohë, aktualisht maturantët janë në fazën e dhënies së provimeve.
Në Universitetin e Tiranës, tarifat e studimit ashtu siç ka theksuar edhe më herët rektori Mynyr Koni, nuk do të ndryshojnë, por do të jenë në të njëjtin nivel me vitin e shkuar akademik.