Qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi nga sot që të paguajnë tarifat e hipotekës edhe pranë Postës Shqiptare. Marrëveshja e nënshkruar sot mes Kryeregjistruesit, Valdrin Pjetri dhe drejtorit të Postës Shqiptare, Laert Duraj i hap rrugë lehtësimit të shërbimit për qytetarët, që krahas sporteleve të bankave, të kenë mundësi të kryejnë pagesat dhe në filialet e postës.
Kryeregjistruesi Pjetri tha se qëllimi i marrëveshjes mes dy institucioneve është thjeshtimi i procedurave për qytetarët. ?ZRPP sot nënshkruajnë marrëveshje me Postën Shqiptare, e cila do të sjellë një shërbim të shtuar për qytetarët të cilët duan të marrin shërbimin e tyre pranë zyrave të tona të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Duke filluar nga sot, qytetarët do të mund të paguajnë shërbimet e tyre edhe pranë filialeve të postës shqiptare. Ky është një bashkëpunim i frytshëm mes dy institucioneve tona që do të përmirësojë shërbimet ndaj qytetarëve?, u shpreh kryeregjistruesi, Valdrin Pjetri.
Ndërsa drejtori i Postës Shqiptare, Laert Duraj u shpreh se bashkëpunimi mes dy institucioneve do të vijojë dhe në të ardhmen me shërbime të reja. ?Falenderojmë ZRPP për besimin që ky institucion shpreh ndaj shërbimeve që ofron Posta Shqiptare. Ky është hapi i parë që Posta Shqiptare hedh bashkë me hipotekën ku në të ardhmen ky bashkëpunim do të përfshijë dhe shumë elementë të tjerë. Qëllimi ynë është përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve. Krahas shërbimeve të tjkera që qytertarët gjejnë aktualisht pranë Postës Shqiptare, do të kenë mundësi të paguajnë dhe tarifat për hipotekën. Është bërë një hap i madh drejt lehtësimit të procedurave?, u shpreh drejtori i Postës Shqiptare, Laert Duraj.