Ramiz Çobaj, i renditur i 8-ti në listën e kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike të Qarkut Shkodër ka dhënë dorëheqjen nga kandidimi.
Është vetë Çobaj ai i cili përmes një bisede telefonike me ?Star Plus? ka konfirmuar tërheqjen si kandidat për deputet. Komunikimi i tij nuk ka qenë shumë i agjatë ndërsa nuk ka preferuar që të japë shumë sqarime. Çobaj është mjaftuar duke thënë se ndjehet i fyer që kryetari i PD Lulzim Basha e ka renditur të 8-in në listën e kandidatëve për deputet.
Kjo renditje për të është e papranueshme duke qenë se mban postin e kryetarit të partisë demokratike në degën e Shkodrës. Me 24 tetor të 2016-ës Çobaj do të deklaronte në Studio e Hapur në Star Plus se lista e kandidatëve për deputet nuk ka kuptim pa praninë e tij si kryetar partie duke shfaqur publikisht pretendimet që ka patur që vitin e kaluar. Pasi ka parë veten si i 8-ti në listë Ramiz Çobaj ka preferuar që të tërhiqet duke mos qenë dakord me këtë vendim të kreut të PD Basha.
Pas këtij vendimi deri diku të papritur nuk dihet se cila do jetë e ardhmja e Çobaj si kryetar i PD në degën e Shkodrës edhe pse deri tani për këtë pjesë nuk ka marrë asnjë vendim. Ka edhe një vit në mandatin e tij 4-vjeçar që pas zgjedhjes në 2014-ën. Çobaj nuk është i vetmi që është ndjerë i fyer sepse menjëherë pasi dolën emrat e kandidatëve për deputetë të partisë demokratike, në Shkodër pati shumë reagime.
Një pjesë e mirë e anëtarëve të PD por edhe emra të rëndësishëm shafqën pakënaqësitë për listën e publikuar që kryesohet nga Romeo Gurakuqi dhe vijon më tej me Izmira Ulqinakun, Lorenc Lukën, Helidon Bushatin, Nard Ndokën, Bardh Spahinë, Anton Kokaj dhe Ramiz Çobaj që u tërhoq. Ajo që mbetet për t?u parë është se kush do ta zëvendësojë dhe se cilët janë 3 emrat e fundit të listës së PD për Shkodrën.