Mbi 20 mijë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Belgjikë, në zgjedhjet që po mbahen për Parlamentin Evropian do të mund të votojnë edhe Amet Gjanajn, kandidat për deputet në Parlamentin Evropian. Gjanaj në këto zgjedhje garon si kandidat i Partisë Socialiste për rajonin e Brukselit. Atë mund ta votojnë të gjithë shtetasit belg që banojnë në 19 komunat e kryeqytetit belg. Gjanaj në listën e Partisë Socialiste mban numrin 24.
"Mendoj se tani shanset janë të mëdha që ta arrijmë rezultatin, sepse komuniteti shqiptarë është më i madh dhe është vetëdijesuar për rendësin që kanë këto zgjedhje për jetën e tyre të përditshme. Le të mendojmë vetëm se ky komunitet tani përbëhet nga më shumë se 20 mijë veta në Bruksel dhe do ishte diçka shumë negative nëse edhe këtë herë nuk do të mund të arrijmë që të kemi një deputet në parlamentin e Brukselit, duke pas parasysh këtë numër", tha Amet Gjanaj, kandidat për deputet në Parlamentin Evropian.
Gjanaj shprehet se do të angazhohet në maksimum për të drejtat e komuniteti të cilin përfaqëson. Ndryshe Amet Gjanaj kandidat për deputet ishte edhe në zgjedhjet e viti 2009, asokohe grumbulloi 2853 vota ndërsa i munguan vetëm 160 për të fituar mandatin e deputetit.
"Unë synoj përmes kandidaturës sime, në parlamentin e Brukselit që të vazhdoj dhe të intensifikoj ndihmën ndaj komunitetit shqiptarë dhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi, pastaj në aspektin më profesional dhe më funksional unë synoj përmes marrjes së mandatit të deputetit që të ndihmojë edhe më shumë biznesin dhe të hap disa dyer për zhvillimin e biznesit", deklaroi Amet Gjanaj, kandidat për deputet në Parlamentin Evropian.
Parlamenti Evropian është më i madhi me zgjedhje të lira në mbarë globin, me gjithsejtë 751 deputetë dhe është i i vetmi Parlament i zgjedhur shumëkombësh në botë, i cili duhet të përfaqësojë 504 milionë qytetarët e Bashkimit Evropian. Ndarja e numrit të deputetëve bëhet varësisht numri i popullatës që kanë shtetet anëtarë të BE-së. Më shumë vende i takojnë Gjermanisë (96), Francës (74) dhe Mbretërisë së Bashkuar e Italisë nga (73). Vendet më të vogla, Qiproja, Malta, Estonia dhe Luksemburgu, kanë nga 6 eurodeputet secila. Bedri Rexhallari