Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në prokurori kreun e bashkisë së Himarës, Jorgo Goro dhe 10 zyrtarë të tjerë të kësaj bashkie.
KLSH ka zbuluar gjatë një auditi të ushtruar në këtë bashki në periudhën korrik 2014-të deri në dhjetor të 2016-të, një dëm ekonomik me vlerë 600 mijë dollarësh.
Ndërsa impakti negativ që kanë dhënë procedurat e shkelura në tendera në buxhetin njësisë vendore arrijnë në 3 milion dollarë.
Janë 9 vepra publike, ku zyrtarët e bashkisë kanë vendosur kritere diskriminuese në tendera, si shëtitorja e Qeparosë, ndërtimi i qendrës së fshatit Borsh dhe Lukovës, shërbimi i pastrimit për Himarën dhe rikonstruksioni i disa rrjeteve të ujësjellësit.
Në bazë të kallëzimit të dorëzuar nga KLSH rezulton se anëtarët e komisionit të Vlerësimit të Ofertave sëbashku me kreun e Bashkisë në rolin e firmëdhënësit të autoritetit kontraktor kanë ndryshuar vlerën dhe rëndësinë e prokurimit duke ulur konkurrencën për kompanitë që janë paraqitur të marrin këto tendera.
KLSH thotë se po ashtu Bashkia nuk ka vënë në dispozicion një sërë dokumentesh të tjerë për inspektorët e saj, ku dyshohet se dëmi ekonomik në to arrin në vlerën e 750 mijë dollarëve./Tv Klan