Ngërçi politik ku është futur Shqipëria që pas nisjes së protestës së PD në 18 Shkurt dhe bllokimi i Reformës në Drejtësi ka bërë që 6 kongresmenë amerikanë të zbarkojnë në Tiranë për të negociuar me palët.
Delegacioni me 6 kongresmenët kryesohet nga Bob Goodlate, i cili është kryetar i Komisionit të Drejtësisë.
Vizita e amerikanëve në Shqipëri nisi sot me një takim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë në vilën qeveritare në Bllok. Pas takimin me Nishanin ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i SHBA në Tiranë Donald Lu, delegacioni nga kongresi amerikan ka takuar kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, njëkohësisht President i zgjedhur.
Edhe me Metën është diskutuar për drejtësinë dhe zgjidhjen e ngërçit që do të bënte të mundur pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhjet e 18 qershorit.
Në axhendën e delegacionit amerikan është parashikuar një takim edhe me kreun e PD, Lulzim Basha, në përpjekje për ta bindur që të futet në zgjedhje.
Në fund te axhendës amerikanët do të zhvillojnë një takim edhe me kryeministrin Edi Rama.