Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeparlamentari Ilir Meta kanë zhvilluar një takim që ka zgjatur 80 minuta në Kryesinë e Kuvendit.
Kreu i Qeverisë, Rama ka mbërritur në ambientet e Kryesisë së Kuvendit rreth orës 19:30 për një takim kokë më kokë me kryeparlamentarin si dhe është larguar rreth orës 20:50.
Rama nuk ka pasur asnjë prononcim për mediat në momentin që është larguar nga Kryesia.
Zhvillimet e fundit politike si dhe vendimi mbi koalicionin PS-LSI duket se kanë në fokus të diskutimit mes dy liderëve kryesorë të së majtës.
Ky takim u zhvillua pak orë parë nisjes së procedurave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Rama dhe Meta zhvillojnë takime të përjavshme por e veçanta e kësaj të mërkure është se takimi nuk u zhvillua paradite si zakonisht por mbasdite.
Në takim përveç koalicionit dhe presidentit mendohet të ketë diskutime për zgjedhjet e ardhshme ku Meta është shprehur se nuk mund të zhvillohen pa opozitën, ndërsa Rama ka deklaruar edhe gjatë një interviste për emisionin "5 Pyetje nga Babaramo" në Report Tv, se është i gatshëm të dialogojë me opozitën.
Komisionet e Vettingut ishin gjithashtu në fokus të bisedimeve pasi parlamenti dje, në një seancë të jashtëzakonshme votoi tre anëtarë të komisionit. Ky komision megjithatë është jo funksional për aq kohë sa opozita nuk bëhet pjesë e tij.