Për të kaluar në Rrugën e Arbrit drejtuesit e mjeteve do të paguajnë mesatarisht 4 euro.
Është kjo tarifa për kalim që ka kërkuar firma që ka propozuar ndërtimin e pjesës së mbetur të saj.
Fluksi mesatar i mjeteve në rrugë pritet të jetë 3.690 makina në ditë, dhe të ardhurat nga pagesa e kalimit të rrugës do të jenë rreth 53 milionë euro për një periudhë 10-vjeçare.
Qeveria ka tashmë gati tenderin për ndërtimin e pjesës së mbetur të Rrugës së Arbrit.
E favorizuar në tender do të hyjë kompania shqiptare ?Gjoka Konstruksion?, e cila bëri një ofertë të pakërkuar për ndërtimin e saj në vitin 2016.
Sipas relacionit shoqërues të draftit të sapomiratuar nga qeveria, rruga do të kushtojë rreth 246 milionë euro dhe ndërtimi i saj do të zgjasë 46 muaj.
Kompania do të përdorë gjithashtu edhe fondet nga buxheti i shtetit, të cilat duhet të jenë rreth 60 milionë euro për 4 vitet e para.
Gjysmën e shumës së përfituar nga tarifa 4 euro e përfiton kompania dhe kjo vlerë zbritet nga shuma totale e të ardhurave nga shteti. Çdo e ardhur mbi këtë vlerë i takon buxhetit të shtetit.
Kompania ka propozuar një variant, sipas të cilit gjatësia totale e rrugës do arrijë në 69 kilometra dhe përfshin një tunel.
Veç kostove të ndërtimit, në ofertë kompania ka marrë përsipër edhe mirëmbajtjen e rrugës dhe tunelit për një periudhë 10¬vjeçare pas ndërtimit.