http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka thirrur pasditen e kësaj të diele një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp. Në njoftimin shpërndarë mediave nga zyra e shtypit pranë Presidencës, nuk bëhet e ditur se për çfarë do të flasë kreu i shtetit. Por kjo dalje e pazakontë e kreut të shtetit në konferencë për shtyp vjen në kohën kur kryeministri Edi Rama, ka dërguar në Presidencë që të hënën emrat e 4 ministrave të rinj për dekretim. Një prej propozimeve, ai për Ministër të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka shkaktuar zhurmë, për shkak të aktivitetit të tij si jurist para viteve 1990. Opozita që prej momentit kur kryeministri Edi Rama propozoi emrin e Xhafës për Ministër të Brendshëm, nisi një fushatë të ashpër sulmesh, duke thënë se ka keqtrajtuar dhe urdhëruar burgime politike gjatë kohës kur ushtronte detyrën si prokuror në Krujë. Sipas përcaktimeve kushtetutese, ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve. Ndërkohë që dekreti presidencial shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi. Dita e hënë është edhe afati përfundimtar, në të cilin presidenti Nishani do vendosë nëse do dekretojë ose jo ministrat e rinj. Në rast të kundërt, ky do të jetë rasti i parë, kur një kryetar shteti në Shqipëri refuzon propozimet e kryeministrit për anëtarët e kabinetit të tij qeveritar. E ndërkohë, presidenti i Republikës para dekretimit të ministrave të rinj, ka shfrytëzuar Kushtetutën për të kërkuar informacione më të detajuara nga institucionet ligjzbatuese në vend, për emrat që i janë propozuar për dekretim. Emërimi i zotit Xhafaj, në vend të Saimir Tahirit ka ngjallur një reagim të ashpër të opozitës, duke e cilësuar atë si mbështetës të narkotrafikut. Ja sesi është shprehr kryedemokrati Basha, në një intervistë për Vizion Plus , lidhur me dekretimin e zotit Xhafa.