Ndryshimet në kabinetin qeveritar ku katër ministrat Saimir Tahiri, Ilir Beqaj, Bledi Çuçi dhe Blendi Klosi do të lënë detyrën, kanë sjellë edhe reagimin e kryetarit të PD, Lulzim Basha.
Nga "Çadra e Lirisë", kreu i opozitës i cilësoi shkarkimet si karikaturë e shëmtuar e rilindjes.
?Ajo që po ndodh pak metra më tej është një karikaturë e shëmtuar e të vetëquajturës Rilindje. Ai ka ndërtuar një aleancë të rrezikshme. Kjo është aleanca midis politikës dhe krimit. Ky është inkriminimi i kësaj partie. Ky nuk ka për detyrë të bëjë karikaturën apo qypa balte që të mbushë zyrën e tij. Ai nuk po e dëgjon zërin e qytetarëve. Ai ka pasur për detyrë që të dëgjojë zërin e qytetarëve. Ta dëgjojë mesazhin që shqiptarët e bashkuar i kanë dhënë që në 18 shkurt", u shpreh Basha.
Ai tha se opozita s'do tërhiqet nga rezistenca edhe sikur Rama të shkarkojë të gjithë qeverinë e tij. Basha tha se kushti mbetet largimi i Edi Ramës dhe krijimi i qeverisë teknike.