Ionian Refining dhe Trading Company, kompania offshore që ka marrë në përdorim nga fundi i vitit të shkuar ARMO-n, nga 1 marsi është bërë pronare e një pjese të mirë të aseteve të kompanisë shtetërore së përpunimit të naftës.
Report TV ka mësuar se IRTC ka blerë më 8 shkurt, 22 prona të ARMO-s për 1 milionë euro. Asetet përfshijnë një sipërfaqe gjigande trualli prej më shumë se 70 mijë metrash katrorë dhe një numër të madh ndërtesash, me vendndodhje në qytetin e Vlorës.
Një ankand i mëparshëm për shitjen e këtyre pronave dështoi verën e shkuar pasi nuk u paraqit asnjë ofertë.
Ndërkohë që Report TV zotëron dokumentin që zbardh se 22 pronat janë blerë përmes një ankandi të organizuar me sukses më 8 shkurt për 130.5 milionë lekë. 22 pronat u nxorrën në ankand nga një bankë tregtare, Ndërkohë që vetëm pak muaj më parë, një tjetër bankë bleu për 25 milionë dollarë thuajse tërë Rafinerinë e Ballshit.
Por blerja vjen në një çast kur IRTC gjendet nën akuzë se nuk ka shlyer detyrimet e ARMO-s ndaj kompanive partnere, tatimeve e punonjësve, pavarësisht se prej disa muajsh ka riaktivizuar dhe shfrytëzon rafinerinë e Ballshit. Vetëm pak ditë më parë Kontrolli i Lartë i Shtetit zbuloi se ARMO i detyrohet kompanisë Albpetrol rreth 30 milionë dollarë dhe nuk ka marrë asnjë masë për shlyerjen e saj. Ndërkohë që punonjësit e ARMO-s janë ngritur disa herë në grevë muajt e fundit për shkak të mosshlyerjes së pagave nga ana e kompanisë.