TIRANE- Ministri i Financave Shkëlqim Cani deklaroi sot se kredia e marrë nga FMN, do të përdoret nga qeveria shqiptare për të ulur borxhin publik në vend pa rrezikuar rritjen ekonomike.
Prioritare sipas tij, do të jetë shlyerja e detyrimeve ndaj bizneseve private, për të cilën u shpreh "Jemi të gatshëm të nisim nga muaji mars shlyerjen e detyrimeve për biznesin".
"Me këtë marrëveshje qeveria garanton bizneset për shlyerjen e faturave të prapambetura që që do të nisë shumë shpejt sidomos pas ratifikimit të marrëveshjes në Parlament. Synon uljen e borxhit publik në një nivel të përshtatshëm por pa rrezikuar rritjen ekonomike, por është në mbështetje të rritjes së ekonomisë shqiptare." - tha Cani paraditen e sotme në konferencë për shtyp.
Ministri tha se kjo mbështetje do të përdoret për shlyerjen e detyrimeve të tranzhit të parë të detyrimeve ndaj biznesit.
"Janë në proces të realizuar të gjitha procedurat e nevojshme për fillimin e procesit të shlyerjes së detyrimeve brenda muajit janar. Fatura të prapambetura janë në një shumë prej 350 mln dollarësh. "- tha Cani. Deri tani se janë shlyer 30 milionë dollarë detyrime të prapambetura.
KREDIA ME TERMA TE BUTE, NE 2017 BORXHI ULET NE 65 %
Ministri i Financave sqaroi se kredia e FMN-së me terma të butë, është më e madhja dhe vjen në një periudhë shumë të rëndësishme për konsolidimin e financave. Çdo vit nga FMN do të jepen 110 milionë euro, ndërsa synohet që në 2017 borxhi të ulet në 65 %
"Marrëveshja përveç ndihmës së drejtëpërdrejtë me shumën 330.9 mln euro në tre vjet me terma më të butë sesa kushtet e tregut i hap rrugë marrëveshjeve të tjera si me Bankën Botërore po ashtu edhe të një granti të mundshëm me BE-në, të nevojshme për mbështetjen e buxhetit dhe shlyerjen e detyrimeve ndaj biznesit privat. Pritshshmria është që në fund të vitit 2017 të ballafaqohemi me një nivel borxhi dicka më shumë se 65 %."- tha Cani.
Për këtë masat që ndërmerren janë, Konsolidimi fiskal, mirëmenaxhimi i financave publike të mos krijohen më borxhe të prapambetura dhe kredia e FMN ndihmon në uljen e kredive me problem.
Dy ditë më parë Fondi Monetar Ndërkombëtar miraton dhënien e huasë prej 330.9 milionë euro për Qeverinë shqiptare, e cila do të jepet me këste për një periudhë 3-vjeçare. Në bazë të këtij vendimi, FMN-ja do të lëvrojë menjëherë nga kjo hua për Qeverinë shqiptare, shumën prej 26.4 milionë euro