Policia Bashkiake ka nisur një aksion për prishjen e tregut pranë Spitalit Nr.5 në Tiranë, i cili do të zhvendoset në një hapësirë tjetër të dedikuar.
Ky aksion i nisur në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure, ka sjellë edhe përplasjen e Policisë Bashkiake me tregtarët romë.
Sipas Bashkisë së Tiranës, tregu do zhvendoset nga ambientet pranë këtij spitali për ta lënë atë hapësirë të lirë, por ka hasur në kundërshtimin e tregtarëve, të cilët nuk pranojnë të largohen.
Gjatë përplasjes me policinë bashkiake një prej tregtareve rome të këtij tregu ka pësuar gjendje të fikti. Asaj i është dhënë ndihma e menjëhershme mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Bashkia e Tiranës: Ja zgjidhjet që iu kemi ka ofruar tregtarëve
Zhvendosja e tregut të rrobave të përdoruara pranë spitalit Nr. 5 u është njoftuar prej kohesh tregtarëve nga Bashkia e Tiranës.
Mësohet se nga takimet qe Bashkia e Tiranës ka patur me tregtaret u ka ofruar atyre tre zgjidhje, në mënyrë që ata të vijonin punën në kushte të përshtatshme, por në të njëjtën kohë të merrte zgjidhje edhe shqetësimi i qindra banorëve të pallateve dhe të qytetarëve pranë zonës së spitalit, të cilët kanë qenë të detyruar që të përballeshin me një situatë tejet problematike ku higjiena mungonte totalisht.