Kërcënimi i prokurorit Bujar Memia në sallën e gjyqit nga babai i një të akuzuari për trafik droge, pasoi një reagim të fortë të Prokurorisë së Përgjithshme.
Nazmi Çangu, 56 vjeç u ndalua në flagrancë kur kërcënoi prokurorin pasi ai kërkoi dënimin me 8 vjet burg për djalin e tij të kapur vitin e kaluar me kanabis. Në banesën e tij u gjeten edhe 76 kilogram hashash. Prokuroria vlerësoi veprimin e shpejte të policisë, por u ra kambanave të alarmit për gjuhen e përdorur ndaj prokuroreve kohët e fundit nga folës publik.
?Pavarësisht se nuk është rasti i parë që një prokuror kërcënohet për shkak të detyrës, Prokuroria e Përgjithshme është vënë në dijeni se sjelljet intimiduese kundër prokurorëve, si zyrtarë të rëndësishëm të shtetit, janë shtuar ndjeshëm. Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të kërkojë me forcë nga të gjithë folësit publikë që të tregojnë maturi kur komentojnë punën e prokurorëve. Për shkak të sulmeve publike, prokurorët tashmë janë kthyer në subjekte të shantazhit dhe kërcënimit nga persona që përballen me ligjin për veprat penale që kanë kryer. Prokuroria e Përgjithshme, duke ritheksuar mbështetjen e saj për Reformën në Drejtësi, vlerëson se fjalori kundër prokurorëve, i përdorur për të justifikuar ndryshimet ligjore, ka demotivuar këta të fundit, të cilët, gjithsesi po vijojnë të përfaqësojnë denjësisht shtetin në proceset penale për persona të përfshirë në vepra penale?
Prokuroria e Përgjithshme u kërkoi edhe prokurorëve që për cdo rast të njoftojnë organin për të siguruar mbrojtjen e integritetit të tyre fizik dhe profesional. Ditët e fundit Prokuroria e Përgjithshme dhe vetë kreu i saj u vuven nën akuze publikisht nga ambasadori amerikan Donal Lu, i cili tha se kryeprokurori ishte kundër reformës në drejtësi dhe kishte shkelur Kushtetutën me propozimet për ne Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Prokurori i Përgjithshëm u kundërpërgjigj duke e akuzuar ambasadorin Lu për shantazh ndaj tij dhe organit të hetimit, për interesa personale dhe për shkak se prokuroria po hetonte politikanë që mbështeteshin nga diplomati amerikan./ TV KLAN