TIRANE-Sot mbushen 6 vjet nga 21 Janari, protesta e vitit 2011 ku u vranë nga Garda 4 protestues, ndërsa shumë të tjerë mbeten të plagosur.
Pasi të gjithë të akuzuarit për '21 Janarin' dolën nga burgu e disa të tjerë nuk u futën kurrë aty, kryeministri Edi Rama premtoi sot ndihmën e qeverisë shqiptare për rihapjen e procesit gjyqësor.
Familjarve të Ziver Veizit , Aleks Nikës, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës të cilët kanë ankimuar çështjen në Strazburg , ai i premtoi se qeveria do të njohë ?de jure? përgjegjësinë për atë që ai e quajti masakër shtetërore, duke ndikuar në vendimin e Strazburgut për të rihapur dhe një herë procesin gjyqësor. Madje pas hekurave mund të përfundojnë dhe ato që liruan fajtorët.
Ashtu si çdo vit edhe në përvjetorin e 6-të u zhvillua një ceremoni përkujtimi për 4 protestuesit që u vranë në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' në 21 Janar të 2011.
Kreu i qeverisë theksoi se 4 viktimat e 21 janarit ishin shtysa kryesore për reformën në drejtësi. Në takimin që ka pasur rreth orës 13:00 me familjarët e 4 të vrarëve në Pallatin e Brigadave, kryeministri siguroi familjarët se me Reformën në Drejtësi vendosja para ligjit e përgjegjësve të masakrës së 21 Janarit është më afër se çdo vit i kaluar.