Pas drejtësisë, objekt i kontrollit dhe i verifikimit të ligjshmërisë së pasurive, do të jetë politika. 140 deputetë të Parlamentit Shqiptar do t?i nënshtrohen kontrollit të ligjshmërisë së pasurive të deklaruara si dhe hetimit për pasuritë e fshehura brenda dhe jashtë vendit.
Kështu parashikon paketa me ndryshime në ligjin për deklarimin dhe kontrollin e pasurive të të zgjedhurve, e cila do të shqyrtohet në ditët në vijim nga Komisioni i Ligjeve, për t?u miratuar më pas nga Parlamenti.
Ndryshimet reflektojnë rekomandimin GRECO-s, që parashikon se:?Deklarimet e pasurive të deputetëve të jenë objekt i kontrolleve të plota dhe më të shpeshta?.
Në këtë kuadër, neni 9 i projektligji ndryshon nenin 25/1 të ligjit ekzistues, duke zvogëluar intervalin kohor të kryerjes së kontrollit të plotë të pasurisë së deputetëve, 1 herë në 2 vjet.
Por, meqenëse edhe afati kohor në ligjin ekzistues nuk është zbatuar për shkak të arsyeve të ndryshme, me miratimin e projektligjit të ri, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive do të nisë menjëherë kontrollin e pasurisë së 140 ligjvënësve.