Shtatëmbëdhjetë për qind të deputetëve të parlamentit të ri që prodhuan zgjedhjet e 25 Qershorit rezultojnë se kanë ndryshuar gjeneralitetet, janë arrestuar, dënuar apo vetëm hetuar për vepra të ndryshme penale. 24 nga 140 deputetët e Parlamentit aktual kanë ndryshuar gjeneralitetet ose janë akuzuar nga prokuroria, por që në fund, shumica janë shpallur të pafajshëm.
Referuar formularit të dekriminalizimit, deputeti i LSI, Përparim Spahiu, rezulton se është vënë nën akuzë nga prokuroria për konsumimin e veprës penale të goditjes për shkak të detyrës në datë 17.10.2009, por që në 2010 është pushuar procedimi penal. Deputeti i PD në Qarkun e Fierit, Myslim Murri, deklaron se është dënuar me kusht nga Gjykata e Faktit dhe Gjykata e Apelit, por është shpallur i pafajshëm në vitin 2007 nga Gjykata e Lartë. Murri deklaron se është mbajtur në arrest shtëpie për veprën penale të shpërdorimit të detyrë, por në vitin 1995, prokuroria ka pushur çështjen. Deputeti i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu, deklaron se është ndaluar nga Prokuroria e Tiranë në vitin 2004, me akuzën për përdorim me keqdashje të thirrjes telefonike, Deputeti sqaron në formular se arrestimi është konsideruar i paligjshëm si dhe është shpallur i pafajshëm më pas nga Gjykata e Tiranës.