Aldi Lleshaj është autori i plagosjes me armë të efektivit të policisë, Nikolin Gjergji. 20 - vjeçari nga Kurbini është plagosur me snajper në këmbë nga forcat RENEA dhe është dërguar drejt Spitalit Ushtarak.
Menjëherë pas ngjarjes së rëndë, të ndodhur mëngjesin e sotëm në Fushë - Gjorm të Lezhës, zona u rrethua nga forca të shumta policie, si dhe forcat RENEA. Ishin këto të fundit që bënë të mundur neutralizimin e 20 - vjeçarit, i cili ishte i armatosur dhe po kërcënonte policinë.
Ndërkohë, efektivi i policisë Nikolin Gjergji ndodhet në spitalin e Traumës në kryeqytet dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Në ambientet e spitalit mësohet se ka mbërritur edhe Ministri i Brendshëm, Saimir Tahir.
Ngjarja:
Rreth orës 09:20 të mëngjesit të sotëm, në autostradë afër Kryqëzimit të Arbërisë, nën kërcënim e armës Aldi Lleshaj grabiti ?Porsche? Cayene, me targa AA 870 II.
Kjo bëri që efektivët e policisë së Lezhës të viheshin në ndjekje të makinës së vjedhur. Pikësisht në këtë moment, autori, kur pa parë mjetin e policisë ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre, duke plagosur me një plumb në kokë punonjësin e policisë, Nikolin Gjergji./tvklan.al