Rikthehen sërish maskat në qytetin e Lezhës. Objektiv i grabitësve ka qenë një çift të moshuarish në fshatin Rrilë të Lezhës , teksa mësohet se është qëlluar me armë zjarri edhe kryefamiljari Vasil Sela.
2 persona të armatosur kanë hyrë pak pas mesnate në një banesë në fshatin Rrilë dhe pas kundërshtive të zotit të shtëpisë për t?i dorëzuar paratë kanë qëlluar me armë në drejtim të tij.
Kryefamiljari ka mbetur i plagosur në këmbe. Ende nuk dihet shuma e parave që kanë marrë autorët të cilët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me makinë.
I plagosuri është dërguar në Spitalin e Traumës, ndërsa policia që ka zbarkuar në vendngjarje ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të plota të grabitjes.
Dy ditë më parë në ishull Shëngjin u grabit edhe banesa e këngëtarit të muzikës popullore, Zef Beka, njëherësh biznesmen.