Gjurmimi, konstatimi dhe denoncimi i parave të korrupsionit të zyrtarëve të lartë, të fshehura në parajsat fiskale, do të jetë prioriteti kryesor i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, për javët dhe muajit në vijim. Ndonëse nga 160 dosje të rënda pasurie, vetëm 30 për qind e tyre kanë përfunduar në gjykatë, ILDKP do të shtojë më tej kapacitetet investiguese, për zbulimin e pasurive të pajustifikuara të pushtetarëve. Ky është rekomandimi më i rëndësishëm i Parlamentit Shqiptar për Inspektoriatin e Pasurive, për vitin 2016.
Kërkesa vjen në kuadër të skandalit të madh botëror ?Panama Papers?, të luftës kundër korrupsionit elitar, reformës në drejtësi, raporteve ndërkombëtare, por edhe të një perceptimi të fortë publik, sipas të cilit, politikanët dhe njerëzit e drejtësisë, kanë zhvendosur paratë e paligjshme në parajsat fiskale, që nga Qipro, Greqia, Zvicra, Panamaja etj. Gjurmimi i parave të fshehta në bankat e huaja është një detyre ligjore e ILDKP, por ky institucion ka buxhet dhe burime njerëzore të pamjaftueshme për realizimin e një misioni të tillë.