Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, çeli pasditen e kësaj të enjte në Muzeun Historik Kombëtar, ekspozitën e skulptorit të njohur italian, Marco Lodola.
Veliaj vlerësoi se skulpturat prej drite të artistit të famshëm, janë kryevepra, ndërsa theksoi se ato tashmë janë vendosur kudo nëpër Tiranë dhe do të qëndrojnë gjatë gjithë muajit të festave.
"Qyteti nuk jeton vetëm me asfalt, qyteti jeton me art, me kulturë, jeton me skulptura, jeton me drita. Veprat e Lodolës do të jenë nëpër qytetin e Tiranës gjatë gjithë muajit dhjetor", u shpreh Veliaj.
Përveç zbukurimeve që i kanë dhënë një tjetër pamje Tiranës në këto ditë festive, këtë vit artisti italian Marco Lodola ka sjellë për qytetarët e metropolit diçka ndryshe: Skulptura të realizuara nga dritat.
Ato janë vendosur në zonat më të populluara të Tiranës duke i dhënë hijeshi kryeqytetit.