Orion Berbati prej 36 ditësh ndodhet në koma në Spitalin e Traumës. Ai shkoi për të parë nga afër punën e babait të tij në Tropojë, por për fat të keq ra në kontakt me energjinë, duke u rrëzuar nga kati i dytë, çka i ka sjellë dëmtime të shumta në kokë dhe në trup.
Babai i 15-vjeçarit, Zarjan Berbati tregon momentin kur Orioni pësoi aksidentin.
Pavarësisht se ka 36 ditë në koma, mjekët i japin shpresë. Për të jetuar, Orioni duhet të shkojë në një klinikë jashtë shtetit, për të bërë rehabilitimin në tru, për shkak se në Shqipëri nuk ofrohet një shërbim i tillë. Por transferimi në një klinikë të huaj kushton shumë dhe familja Berbati thotë se nuk i ka mundësitë ekonomike.
Ata i bëjnë apel shtetit dhe kujtdo që ka mundësi ti ndihmojë, në mënyrë që 15 vjeçari të jetojë. Gjyshi i Orionit Ali Berbati me lot në sy bën apel për ndihmë.
Me shpresën se mezhazi i tyre do dëgjohet, familja Berbati lutet çdo ditë që 15-vjeçari të shkojë në një spital jashtë shtetit, pasi kjo është mundësia e vetme që ai ka për të jetuar. Në spitalin e Traumës, mjekët e mbajtën në jetë dhe tani Orioni mund të rehabilitohet vetëm jashtë Shqipërisë.