Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u shpreh se qëndrimet e opozitës për ligjin e vettingut nuk janë bindëse. Ai i kërkoi pakicës në Kuvend që të votojë në parim dhe nen për nen ligjin, si dhe të bëhet pjesë gjatë votimit të amendamenteve të propozuara prej tyre.
"S'më duket shumë bindës qëndrimi i opozitës, por kjo është e drejtë e saj. Opozita ka shprehur shumë pretendime dhe për shumë riformulime dhe një pjesë e tyre janë marrë në konsideratë. S'shoh asgjë esenciale që të pengojë votimin nga opozita, ashtu edhe pjesëmarrjes së saj gjatë votimit të amendamteve që ka pretenduar. Disa pretendime e kam të vështirë t'i kuptoj, për cenimin e besueshmërisë së disa institucioneve", u shpreh Meta.
Kreu i Kuvendit theksoi se Kuvendi është i vonuar në miratimin e ligjit, ndërsa shtoi se ai, vettingu, duhet të miratohet sot.
"Vettingu është ligji më i rëndësishëm i reformës, duhet votuar patjetër sot sepse kemi një afat. Opozita nuk është e përqendruar. Të japim një mesazh të përgjegjshëm për këtë ligj. Nuk mund të paragjykojmë gjithmonë gjithçka. Kërkoj një klimë më konstruktive porsa i takon reformës në drejtësi. Të mos ngatërrojmë çështjet e tjera të politikës më këtë reformën në drejtësi. Ta ndryshojmë këtë sistem njëherë e përgjithmonë.
Ky ligj dhe 2 të tjera duhet të raportoheshin me 1 shtator si të miratuar nga Kuvendi. Duhet të respektojmë afatet e vendosura nga ndërkombëtarët. Kur konsensusi nuk u arrit për disa javë nuk mund të arrihet për disa orë", tha Meta.
Kryetari i LSI, ui referua edhe konsensusit të 21 korrikut, kur u bë e mundur miratimi i reformës në drejtësi me votë unanime.
"Ka një dallim themelor mes konsensusit të 22 korrikut dhe konsensusit të sotëm. Me 22 korrik kishim të bënim me konsensus për kushtetutën, ndaj isha aktiv në rolin tim negociues. Konsensusi për reformat kushtetuese duhet të realizohet me opozitën. PS-LSI-PDIU kishin 88 vota në 22 korrik", tha ai.