Partia Demokratike depoziton në Kuvend 28 amendamente për ligjin e vettingut, të cilat do t'i nënshtrohen votimit në seancën e jashtëzakonshme të 30 gushtit.
Pasi u rrëzua opinioni i Partisë Demokratike për këtë ligj nga komisioni i posaçëm i reformës në drejtësi, opozita këmbëngul në propozimet e saj duke i përkthyer në amendamente propozimet e saj të fokusuar na 7 çështje, të cilat sipas PD në ligjin e vettingut paraqiten probleme të thella në kushtetutë.
Për këtë arsye amendamentet e PD prekin 66 nene të ligjit, përmes të cilave synohet garantimi i llogaridhënies, pavarësinë, eficencën, shpejtësinë dhe saktësinë në ushtrimin e funksionit nga organet e rivlerësimit.
Demokratët parashikojnë që në ligjin e kaluar në komision, roli aktiv dhe përcaktues që kanë organe të kontrolluara apo në varësi të pushtetit ekzekutiv ILDKP dhe DSIK, passjell kontroll tërësor të qeverisë në të gjithë komponentët e procesit të rivlerësimit.
Kështu demokratët thonë se në ligj, organet e reja të vettingut, që janë komisionerët publikë, KPK dhe Kolegji i Apelimit, vendosen nën mbikëqyrjen e dhe kontrollin e qeverisë.
Kjo është papranueshme për opozitën pasi telekomunikimet dhe të ardhurat financiare të anëtarëve të tyre kontrollohen nga agjenci në varësi të qeverisë, siç është drejtoria e parandalimit të pastrimit të parave.
Kështu në amendamentet e paraqitura nga PD, ndryshon roli i OMN, KLD dhe DSIK. Por demokratët lexojnë me vëmendje tekstin e ligjit të kaluar tashmë në komision, edhe pas propozimit të bërë nga EURALIUS, sipas opozitës në mënyrë të qëllimshme teksti nuk detajon procedurën e përzgjedhjes dhe të emërimit të anëtarëve të organeve të vettingut, si dhe procesin e vlerësimit të kandidaturave.
Ajo që shkruhet në ligj bën, që sipas PD, procesi dhe standardet e kontrollit të figurës cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të sanksionuara në kushtetutë dhe në konventën europiane të të drejtave të njeriut.
Në këto kushte sipas partisë demokratike projektligji cenon parimin e barazisë përpara ligjit dhe dhunon parimin e sigurisë publike pasi teksti i normave të tij është i paqartë.
Ligji për vettingun, i cili kaloi në mbledhjen e fundit të 22 gushtit të komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi, pa dakordësinë e opozitës, do të diskutohet këtë të martë në kuvend.
Pritet që anëtarët e pakicës në komisionin e posaçëm do të parashtrojnë para se të votohet nen për ne ligji, të gjitha amendamentet që i dorëzuan këtë të hënë kryetarit të kuvendit dhe kryetarit të komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi.
Amendamentet më pas i nënshtrohen procesit të votimit, të cilat ka shumë gjasa të rrëzohen për shkak se mazhoranca aktuale e ka shumicën e cilësuar të votave prej 84 deputetësh.
Propozimet e opozitës për ligjin e vettingut do t'i bëhen të ditura edhe grupit parlamentar demokrat i cili është thirrur nga kryetari i PD këtë të martë në orën 11.