TIRANE - Demokratët kanë konkretizuar nismën e tyre për dekriminalizimin duke depozituar në Kuvend amendamentet kushtetuese dhe projektligjin për dekriminalzimin jo vetëm të parlamentit por të të gjitha institucioneve publike në vend. Nga selia e Kuvendit deputeti Oerd Bylykbashi tha se projektligjet që lidhen me ndryshime kushtetuese e ligjore për dekriminalizimin do t?i heqin njollën e turpit shqiptarëve dhe se ky process nuk mund të ndalet nga mungesa e vullnetit të maxhorancës.
Demokratët kanë bërë një sërë propozimesh për ndryshimet në kushtetutë në thelb të të cilave qëndron përjashtimi i shtetasve nga e drejta për të zgjedhë apo për tu zgjedhur e që rregullohet me ligj të posaçëm.
Sipas mendimeve kushtetuese, parashikohet që Avokat i Popullit, deputetë, presidenti i republikës, kryeministri, nëpunësi publik, gjyqtarët, prokurorët, anëtarët e këshillit dhe guvernatori i bankës së Shqipërisë, kryetari i KLSH, anëtarë të Forcave të Armatosura, nuk mund të zgjidhet një shtetas që është i përjashtuar nga e drejta për t?u zgjedhur apo për të mbajtur një funksion publik, sipas përcaktimeve të bëra me ligj të posaçëm.
Sipas parashikimeve ligjore ata persona të cilët pas verifikimit rezultojnë të tillë u ndërpritet mandati publik që kanë. Ndërsa në ligjin për dekriminalizimin janë parashikuar kushtet që duhet të plotësojnë personat që kandidojnë për poste publike apo edhe për tu zgjedhur, ku demokratët parashikojnë që ky proces nis me vetëdeklarimin e secilit prej këtyre kandidatëve lidhur me të shkuarën e tyre.
Ndërkaq pritet që me çeljen e sesionit të ri kuvendor , iniciativat e demokratëve të diskutohen në komisionin e posaçëm për dekriminalizimin.