Gjatë prezantimit të kandidatit të PS për bashkinë e Dibrës, kryeministri Rama ka deklaruar se nuk do të largohet nga zyra e tij pa mbaruar ndërtimi i "Rrugës së Arbrit". Rama pohoi se prej kohësh është lidhur marrëveshja me qeverinë kineze.
"Rruga e Arbrit është premtuar që 25 vite. Unë e kam premtuar, por nuk mund të thoni që nuk e kam bërë. Nuk largohem nga kryeministria pa bërë "rrugën e Arbrit". Kemi negociuar 3 vite resht me Kinën një kontratë të arsyeshme, rruga do të bëhet realitet. Në fillim të punës tonë ishte e pamundur, pasi në vend të investimeve duhet të merreshim me malin e borxheve që na kishin lënë. Në 2013 gjetëm një vend të kërcënuar nga kolapsi financiar nga situate e borxheve.Kemi shlyer aq borxhe sa do të bënin një rrugë 3 herë më të gjatë se rruga e Arbrit", deklaroi Kryeministri Rama.
Kryeministri vlerësoi kandidatin e djathtë, por ai deklaroi se Dibra nuk mund të zgjedhë një kandidat që është në prag të pensionit. Rama deklaroi se në këtë garë jemi më shumë dhe përveç PS, LSI, PDIU edhe demokratët po mbështesin Ramën e duhur për Dibrën.
"Kemi dëgjuar se do të ishim më pak, por në këtë garë jemi më shumë. Kur hyra u ndjeva shumë i emocionuar nga mikpritja e jashtëzakonshme. Ketu nuk është vetëm PS, LSI, PDIU, por edhe demokratet po mbështesin Ramën e duhur për Dibrën. Ftoj të gjithë mbështetësit e PD, që mes një burri të mirë por i lodhur dhe që duhet të dalë në pension, dhe mes Muharem Ramës, të zgjedhin Ramën. Dibra nuk është vendi që kërkon një person që do të dalë në pension. Ditën që do të lodhem me problemet, do marr rrugën për në shtëpi", deklaroi Kryeministri.