Prokurori i Përgjithshëm nuk do të jetë më autoriteti, i cili do të shqyrtojë, miratojë apo refuzojë kërkesat e institucioneve të parashikuar me ligj, për përgjimin e telefonatave. Kështu parashikon drafti për përgjimet, i cili ndryshon ligjin nr. 9157, datë 04.12.2003 "Për përgjimin e Telekomunikimeve". Drafti, i cili ka shkruar në komisionin për Reformën në Drejtësi, është përgatitur nga ekspertët EURALIUS dhe OPDAT, duke e përputhur me projektin kushtetues si dhe me projektligjin për ngritjen e institucioneve që do të luftojnë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta, kryesisht SPAK dhe Byroja e Hetimit. Projektligji ndryshon pikërisht nenin 8 të ligjit aktual për përgjimet. Neni i ndryshuar parashikon që kryetari i Gjykatës së Lartë ose, në mungese të tij, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë që merret me çështjet nën juridiksionin e Gjykatës Antikorrupsion dhe kundër Krimit të Organizuar i autorizuar prej tij, miraton ose refuzon kërkesat e shkrim të drejtorit të SHISH-it, ministrit të Brendshëm, ministrit të Mbrojtjes, ministrit të Drejtësisë, ministrit të Financave, si dhe çdo ministri, që ka në varësi shërbime informative/policore të krijuara me ligj. Ligji aktual ia jep këtë kompetencë Prokurorit të Përgjithshëm ose një prokurori i autorizuar prej tij. Po ashtu, drafti parashikon që kryetari i Gjykatës së Lartë ose në mungesë të tij një gjyqtar tjetër i Gjykatës së Lartë, merr vendim me shkrim për kërkesën për përgjim, i cili hartohet në tri kopje. Një kopje e vendimit që miraton kërkesën, mbahet në bërthamën komanduese elektronike të Prokurorisë, një e mban Struktura Përgjegjëse e Përgjimeve në SHISH dhe një kopje institucioni që ka bërë kërkesën.