E vetmja katedrale në jug të vendit e Kishës Ortodokse Shqiptare, është përuruar sot në Gjirokastër. Vetë Kryepeshkopi i Kishës Autoqefale të Shqipërisë Anastas Janullatos, ka marrë pjesë në përurimin e kësaj vepre që është unikale në llojin e vet përsa i përket strukturës, madhësisë dhe elementëve të tjerë.
Kryepeshkopi Anastas Janullatos, është pritur në hyrje të katedrales ortodokse ?Ngjallja e Krishtit?, nga mitropoliti i Gjirokastrës Dhimitri (grek), si dhe nga përfaqësues të tjerë të kishave ortodokse që janë pjesë e Mitropolisë së Gjirokastrës që përmbledh Himarën, Delvinën, Sarandën, Gjirokastrën, Tepelenën dhe Përmetin.
Ndonëse katedralja ndodhet në territorin e qytetit të Gjirokastrës, asnjë përfaqësues nga Bashkia madje as vetë kryebashkiakia e Gjirokastrës Zamira Rami, nuk ka qenë e pranishme në këtë përurim.
Nga ana tjetër, të pranishëm kanë qenë përfaqësues të Ambasadës greke në Tiranë, si dhe konsulli grek i Gjirokastrës.
Kryepeshkopi Janullatos, ka mbajtur meshën e rastit në orët e mëngjesit duke predikuar paqe dhe lumturi për të gjithë besimtarët jo vetëm të Gjirokastrës, por dhe të gjithë Shqipërisë.
"Paqe dhe lumturi për të gjithë ju", është shprehur Janullatos në gjuhën greke dhe atë shqipe, ndërkohë që dhe mesha, është mbajtur në dy gjuhë kjo dhe për shkak të prezencës së besimtarëve minoritarë grek, të cilët kanë qenë të pranishëm.