Dhënia e shtetësisë shqiptare për kreun e Kishës Ortodokse, Anastas Janullatos nga presidenti Ilir Meta në fundin e 2017-ës, u komentua jo pak për shkak se të gjithë paraardhësit e Metës kishin refuzuar të firmosin dekretin.
Në "5 pyetje nga Babaramo" në Report Tv, Meta tha se vendimin për shtetësinë e Janullatos e kishte marrë kohë më parë, ndërsa firmën do ta hidhte në prag të festës së Krishtlindjeve.
"Vendimi në mendjen time ishte marrë prej disa muajsh. E kisha menduar prej disa kohësh këtë shtetësi që të nënshkruaja në vigjilje të krishtlindjeve, si një akt publik vlerësimi për kontributin dhe rolin e tij. Ia kisha deklaruar edhe fortlumtumisë së tij se deri në fund të vitit do përgjigjesha për kërkesën e tij të hershme të dorëzuar në Presidencë. Por ai si njeri i mençur dhe njeri i perëndisë, pa e kuptuar askush, dha një intervistë ku bëri të qartë qëllimin e jetës së tij, që ishte jo vetëm ndërtimi i Kishës Ortodokse të Shqipërisë", u shpreh Meta.