Kandidatët për hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, për anëtarë të Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë së Posaçme duhet të kalojnë në një filtër dhe skaner ekstrem. Kandidati, në një formular të posaçëm, duhet të deklarojnë të gjitha vendet në të cilat ka udhëtuar si dhe datat e përafërta të udhëtimit, që nga viti 2010 e në vijim. Po ashtu, sipas draftit për institucionet që do luftojnë krimin dhe korrupsionin, kandidati është i detyruar që të japë një listë të të gjitha takimeve, marrëdhënieve apo komunikimeve, me përjashtim të takimeve apo komunikimeve që kanë lidhje me pozicionin e tij si gjyqtar apo prokuror, me persona të cilët, në dijeninë e kandidatit, janë arrestuar, dënuar apo akuzuar publikisht për krim të organizuar. Po nga janari i vitit 2010, kandidati duhet të deklarojë të gjitha shtëpitë, apartamentet, shtëpitë e pushimit, automjetet, motorrët, mjetet lundruese apo aeroplanët të cilët kanë qenë nën pronësinë e kandidatit apo i janë dhënë në përdorim, përveçse për qëllime zyrtare të ushtrimit të profesionit.
Kushërinjtë
Përpos familjarëve, kandidati duhet të shkruajë emrin, datëlindjen, vendlindjen dhe shtetësinë e nipërve, gjyshërve, xhaxhallarëve/dajave, tezeve/hallave, kushërinjve të parë dhe kushërinjve të dytë për kandidatin dhe bashkëshortin/en. Ai duhet të tregojë për çdo rekord kriminal të familjarëve dhe kushërinjve. Deklarata e kandidatit do të verifikohet nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, institucione të cilat do të hartojnë një raport, të cilin do t?ua dorëzojnë Këshillit të Lartë Gjyqësor apo Këshillit të Lartë të Prokurorisë.