Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, i bëri thirrje këtë të premte kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha që të takohen ditën e hënë, për t'i dhën zgjidhje reformës në drejtësi.
Porosia e Lu ishte që dy liderët të mos ngrihen nga tryeza pa reformën në drejtësi. "Edi Rama dhe Lulzim Basha të ulen përballë ditën e hënë dhe mos të dalin nga ajo dhomë pa reformën në drejtësi", u shpreh Lu gjatë një konference për shtyp nga ambasada e SHBA në Tiranë.
Kryediplomati amerikan në Tiranë tha se reformës në drejtësi i druhen politikanët kriminelë dhe gjyqtarët e korruptuar.
"Do të shohim kush ka përgjegjësi, kush ka më shumë frikë nga kjo reformë. Politikanët kriminelë e gjyqtaret e korruptuar kanë njësoj frikë nga reforma. Po e sulmojnë. Nëse Rama e Basha nuk gjejnë konsensus, Kuvendi duhet ta miratojë. Janë të gjithë të lodhur nga politikanët", tha Lu.