Kompania e sigurisë së aeroportit "Nënë Tereza" ka vendosur kamerat në portën ku u futën 3 grabitësit e vjedhjes së 1 milionë eurove në pistën e aeroportit. Por duket se investimi për vendosjen e kamerave është bërë sa për të shuar zhurmën dhe problemet me sigurinë që dolën në pah pas grabitjes.
Kjo pasi cilësia e kamerave të vendosura lë për të dëshiruar. Kamerat e vendosura sot janë prodhime kineze të cilat në treg nuk shkojnë më shumë se 100 USD.
Pas interesimit në kompani që merren me instalimin e sistemeve të sigurisë dhe kamerave dhe nga një kërkim në faqet online të kompanive që merren me tregtimin e kamerave të sigurisë, rezulton se ato janë nga më pak cilësoret dhe ndër më të lirat. Veç cilësisë së dobët të pamjes dhe regjistrimit, nga specialistë që merren me këto sisteme mësojmë se ato nuk janë rezistente apo edhe funksionale për montiromimin e një institucioni me siguri të lartë, sic është Aeroporti i Rinasit.
Këto kamera janë vendosur pikërisht në portën B, për të cilën Policia e Shtetit me 13 maj të vitit 2016, kishte kërkuar forcimin e vëzhgimit dhe të kontrollit.
Por nëse në këtë portë vendosja e këtyre kamerave, në portat e tjera vëzhgimi vijon të jetë në të njëjtin nivel.
Një veturë patrullimi i komapnisë ICTS, është e vetmja mundësi për të kontrolluar sigurinë e perimetrit të jashtëm të pistës së aeroportit të Rinasit.