Nga dënimi maksimal me 15 vite burg për armëmbajtje pa leje dënimi për këtë vepër penale pritet të reduktohet në 7 vite.
Është ky propozimi i paraqitur nga qeveria shqiptare me anë të një projektligji për ndryshimin e kodit penal pas shpalljes si antikushtetues të ashpërsimeve të dënimeve të bëra më 5 dhjetor të një viti më parë dhe pse ashpërsimet u argumentuan si masa të luftës ndaj krimit të organizuar dhe parandalimit të ngjarjeve kriminale.
ReportTv ka siguruar një kopje të projektligjit të depozituar në kuvend më 30 qershor të këtij viti dhe aktualisht pritet shqyrtimi i tij në komisione parlamentare e më pas miratimi me votat e deputetëve.
Përgjysmimi i dënimit maksimal për armëmbajtjen nuk është i vetmi ndryshim me dënimet ekzistuese pasi ulje kanë pësuar dhe disa vepra të tjera lidhur me armëmbajtjen apo tregtimin dhe trafikimin e municioneve.
Prodhimi, shit-blerja, ofrimi për shitje, tregtimi apo transporti i municioneve luftarake dhe lëndëve plasëse i armëve shpërthyese pa lejen e organeve shtetërorë propozohet të ketë një dënim nga 5 deri në 10 vite maksimumi ndërsa me ndryshimet e shfuqizuara nga kushtetuesja ishte 5 deri në 15 vite.
Ulje dënimi ka pësuar dhe armëmbajtja pa leje në banesë për të cilën propozohet një dënim me 1 deri në 3 vite burg, nga 1 deri në 5 vite që ishte më parë.
Mbajtja pa leje e lëndëve shpërthyese përfshi mina, bomba, tritol dënimi propozohet të jetë nga 1 në maksimumi 4 vite duke përgjysmuar kështu dënimin që ishte më parë nga 5 vite në 8 vite maksimumi.
Ligjvënësi propozon ulje dënimi dhe për armët e ftohta dhe tregtimin e tyre duke e çuar dënimin në 1 deri në pesë vite burg nga tre deri në tetë që ishte aktualisht për ?armët e ftohta si shpatat, bajonetat, thikat dhe mjete të tjera të përgatitura e të destinuara posaçërisht për sulm kundër personave ose për vetëmbrojtje, pa lejen e organeve kompetente?.