Ndërkombëtarët nuk do të jenë thjeshtë monitorues së rreptë të vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, siç diskutohet rëndom kur flitet për reformën në drejtësi. Sipas ligjit për "vettingun" që do të kalojë në datë 6 në komisionin e posaçëm të reformës në drejtësi, ata kanë të drejtën dhe të eliminojnë kandidatura të caktuara të njerëzve që do të përzgjidhen për të kontrolluar drejtësinë shqiptare.
Sipas nenit 7, anëtarët e komisionit të "vettingut" do të zgjidhen me 2/3 e votave ne Kuvend deri në 3 raunde, në bazë të një liste që Avokati i Popullit i paraqet deputetëve. Nëse votimi dështon, presidenti i përzgjedh me short. Kusht i domosdoshëm për të qenë pjesë e kupolës që do të vlerësojë gjyqtarë e prokurorë është anglishtja e përsosur, gjë që ka ngjallur pakënaqësi në radhët e juristëve shqiptarë.