Qindra hektar tokë bujqësore nuk do kenë ujë për tu vaditur në fshatin Tarazh i Epërm të Mirditës.
Shkak për këtë situatë është bërë dëmtimi i digës së rezervuarit të kësaj zone, duke detyruar autoritetet që të hapin portat për shkarkimin e ujit, pasi rrezikonte përmbytjen e zonës.
Banorët e zonës thonë se mungesa e ujit për vaditje ka penalizuar bujqësinë, sektor ky që është burim jetese për shumë familje të këtij fshati.
Sipas tyre një vit më parë është bërë një investim në rezervuarin në fjalë, por punimet nuk janë kryer siç duhet duke sjellë sërish dëmtimin e digës.
Banorët e këtij fshati apelojnë për ndërhyrje, pasi në këto kushte të mbjellat e tyre do të thahen, duke mos mund të marrin asnjë prodhim.
Për riparimin e rezervuarit të Tarazhit u investuan 5 milion lekë të reja gushtin e vitit të kaluar, por pavarësisht kësaj ky ujëmbledhës ka dalë sërish jashtë funksioni.