Adil Mersinllari dhe Bledar Mucollari dy personat që shihni në foto do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve për akuzën e armbajties pa leje dhe trafikimit të municioneve luftarake.
Ishte ky vendimi i gjykatës së Tiranës dhënë këtë të diele, ndërsa dy të dyshuarit kanë preferuar të heshtin para togave të zeza duke dhënë vetëm gjeneralitetet.
Ata u arrestuan në kuadër të operacionit ?Moglica? nga policia e Tiranës ndërsa ju sekuestruan një arsenal luftarak i denjë për një ushtri.
Burime për ReportTv bënë me dije se brenda javës pritet të ekzekutohen dhe 4 urdhër arreste të tjerë ku personat e shpallur në kërkim dyshohet se me Muçollarin dhe Mersinllarin kryenin trafikun e armëve nga Korca në Tiranë e më pas dhe jashtë vendit.
Por si u zbulua kjo bazë e trafikut të armëve?
Blerja e stimuluar nga një agjent i policisë arriti të dokumentojë aktivitetin kriminal të këtij grupi. Fillimisht agjenti ka bërë blerjen e një sasie municioni tek Mucollari e më pas kundrejt një blerje prej 10 mijë euro është porositur një sasi më e madhe armatimi.
Për këtë armatim dy të dyshuarit Muçollari dhe Mersinllari kanë kërkuar 3 javë kohë për të siguruar armatimin të cilin sipas marrëveshjes do e sillnin një pjesë në tiranë dhe një pjesë do e dorëzonin në fshatin Moglicë të Korçës.
Në përfundim të këtyre hetimeve municioni luftarak do ti dorëzohet ministrisë së mbrojtjes për tu asgjësuar ndërsa dokumentimim filmik dhe fotografik si prova material do të përdoren në gjykimin e të arrestuarve.