Kastriot Ismailaj kërkon që në gjyqin e tij që po zhvillohet në Gjykatën e Tiranës të dëshmojnë edhe ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri, Avokatja e Përgjithshme e Shtetit Alma Hicka, kreu i OSSHE-së Ardian Çela, ish-administratori i CEZ Josef Hajsek dhe bashkëpunëtorja e Ismailajt, shtetasja amerikane Rebeka Gasikin.
Burime për Report TV konfirmojnë se kërkesa e Kastriot Ismailajt ëshët dorëzuar në procesin gjyqësor në ngarkim të tij nga avokati Vladimir Meçe, kërkesë kjo e pranuar nga gjykata.
Në seancat në vijim pritet të shihet nëse Gjykata e Tiranës do të arrijë të marrë dëshmitë e personave të kërkuar nga mbrojtja, pasi pjesa më e madhe e tyre, as që janë marrë në pyetje nga prokuroria për këtë çështje.
Sipas argumentimit të avokatit, Ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri duhet të pyetët në lidhje me bisedimet dhe më pas marrëveshjen me kompaninë CEZ-shpërndarja. Ndërsa avokatja e Shtetit Alma Hicka, si personi që ka qenë pjesë e grupit të punës për marrëveshjen me CEZ-in.
Kreu i OSSHE-së Ardian Çela, do të flasë për faturat e pashlyera ndaj kompanisë së Kastriot Ismailajt dhe letër-këmbimit e mbajtur mes tij dhe kreut të OSSHE-së. Ndërsa shtetasja amerikane Rebeka Gaskinë do të flasë për marrëveshjet ligjore dhe transaksionet e ligjshme të kryera mes saj dhe Ismailajt.
Marrja e dëshmisë së kësaj të fundit, pritet të jetë misioni më i vështirë për gjykatën, pasi as Prokuroria nuk ka arritur dot të marrë dëshminë e saj gjatë procesit hetimor. Para gjykatës duhet të dëshmojë edhe ish-drejtori I CEZ Josef Hajsek, i cili ka gjithashtu një proçes hetimor të hapur për akuzën e mashtrimit, duke favorizuar kompaninë e Kastriot Ismailajt.