http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Në një letër drejtuar Kryeministrit, ministrit të Mirëqenies Sociale dhe asaj të Ekonomisë Milva Ekonomi, Dhoma Kombëtare e Prodhimit të Veshjeve ka bërë një kërkesë të padëgjuar më parë: kërkon rritjen e pagës minimale nga 22 mijë në 23 mijë lek. Fasonët janë sektori që kanë numrin më të madh të punonjësve të paguar me këtë pagë, e nëse kërkesa e tyre plotësohet, atëherë do të rritet edhe sasia e parave që ata derdhin për sigurimet shoqërore në buxhetin e shtetit. Një argument që ata përdorin është kjo:Dëshira për të ndikuar në rritjen e konsumit dhe përmirësuar sado pak cilësinë e jetesës së të punësuarve tanë.Por përkrahja e nismave, të cilat ndikojnë në rritjen e taksave për biznesin ka sjellë edhe përçarje të shoqatave. Nikollaq Neranxi përmes një konference për shtyp ka kërkuar shkrirjen e dhomave të tregtisë. Nga ana tjetër ministri Blendi Klosi ka pranuar që të nisë diskutimet për rritjen e pagës minimale. Po fjalën në fund pritet ta thotë Ministria e Financave. Ka më shumë se një muaj që Arben Ahmetaj premton se nuk do të ketë rritje taksash, këtë e konfirmoi edhe në Këshillin Tatimor disa orë më parë. Vizion Plus pyeti Ministrinë e Financave, por ata nuk kanë një përgjigje përfundimtare për këtë kërkesë dhe pranuan që nëse rritet paga minimale rriten edhe kostot e biznesit, në një kohë që ata kërkojnë përmirësim të klimës në ekonomi. Kërkesa për të rritur pagën minimale nga vetë biznesi fason tingëllon pak e çuditshme, kur ata vetë pranojnë se mbi 75% të shpenzimeve të tyre i përbën taksa e punës!