Kryeministri Edi Rama foli sot në mbledhjen e grupit parlamentar për vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, javën e kaluar.
Sipas kreut të qeverisë, ftesa për të vizituar Shtëpinë e Bardhë, erdhi si rrjedhojë e punës dhe reformave të qeverisë në këto 2 vite e gjysmë.
Nder të jashtëzakonshëm për qeverinë dhe historike për 25 vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, e cilësoi ai takimin me Presidentin Barack Obama dhe zëvendëspresidentin, Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë.
"Pritja nga zv/presidenti Biden dhe Presidenti Barack Obama ishte një nder jashtëzakonshëm për Qeverinë. 25 vjet janë shumë pak në historinë e një vendi, apo marrëdhëniet mes dy vendeve, por këto 25 vjet, janë mjaftueshme për të vlerësuar rëndësinë jetike për interesat e shqiptarëve dhe të SHBA në rajonin tonë. Marrëdhënia e ngushtë me SHBA, është çelësi i shpjegimit të këtij interesit historik të shqiptarëve. Në selinë e USAID na është rezervuar një takim i përgatitur deri në detaje nga pala amerikane. Ambasadorja e Përgjithshme e USAID ka shprehur vlerësime për propozimet tona për luftën kundër ekstremizmit. Për herë të parë Shqipëria do të ketë edhe grupin e miqësisë edhe në Senatin Amerikan. Ftesa në Shtëpinë e Bardhë ishte vlerësim për punën tonë, reformat dhe bashkëpunimi me SHBA. Ishte një vlerësim për Shqipërinë dhe shqiptarët në 25 vjetorin e kësaj marrëdhënie speciale. E shoh këtë vizitë si një arsye të fortë për të vazhduar vendosmërisht përpara për të çuar edhe më tej reformat e Shqipërisë", u shpreh Rama.