Kryetari i degës së Partisë Socialiste për Tiranën dhe njëherazi ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u shpreh gjatë shpërndarjes së kartave të reja të anëtarësisë, se Partia Socialiste e Tiranës numëron tashmë 20 mijë anëtarë. "Ne sot në Tiranë, bëhemi diçka afër 20 mijë anëtarë, nga Ndroqi në Tiranë, por kaq nuk mjafton për fuqinë që duhet të kenë reformat. Trokisni dhe bisedoni me këdo që të bëhemi bashkë për Shqipërinë që duam", u shpreh Tahiri.
Ai theksoi se reformat e qeverisë "Rama" po bëjnë shtet dhe për këtë duhen të informohen të gjithë shqiptarët. "Duhet tu shpjegojmë shqiptarëve reformat e qeverisë, se çfarë bëjmë. duhet tu shpjegojmë për energjinë elektrike se duhet ta paguajnë atë, se paguam një borxh të padrejtë. Kjo është të bësh shtet. ti tregosh kujtdo se ligji është i barabartë për të gjithë. Kemi filluar dhe po bëjmë shtet. Po bëjmë atë që s'është bërë në 25 vitet e shkuara. Duhet të mblidhemi sa më shumë fuqi për të mbështetur reformat", tha ai.
Tahiri e cilësoi historike edhe reformën në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, në Shqipëri drejtësia do të jepet sipas ligjit dhe jo sipas xhepit. "Kemi edhe një mision historik, ku pavarësisht opozitës në parlament, dhe kjo është reforma në drejtësi. Ne duhet ta bëjmë këtë vend shumë të drejtë ku i pasuri dhe i varfëri të mos kenë të drejta sipas xhepit, por sipas ligjit. Ku drejtësia të mos bëjë pazar me ligjin në kurriz të qytetarëve. Ju që jeni anëtarë të rinj të PS, hajdeni të bisedojmë dhe t'i takojmë të gjithë bashkë ata që duan të ketë drejtësi në Shqipëri. Të bëhemi bashkë për një mision super të shenjtë që është reforma në drejtësi", theksoi Tahiri.