TIRANË - 22-vjeçarja Nazime Visha e dënuar me 10 vjet burg për vrasjen e babait të 5 fëmijëve, Fiqiri Muça kërkon në gjykatë uljen e dënimit, ose lirimin e saj nga burgu. Nazime Visha i është drejtuar Gjykatës me kerkesën për tu liruar duke përfituar nga amnistria, por gjykata ende nuk ka një vendim dhe gjithçka u shty për më 15 mars. Asaj i kane mbetur edhe 3 vite e 9 muaj burg për të kryer.
Por pa kaluar një orë nga kjo seancë gjyqësore ministri i Drejtësisë Ylli Manjani i kërkoi Presidentit të Republikës Bujar Nishani të falë Nazimen si përfituese e amnistisë së dekretuar nga kreu i shtetit.
Kërkesa që i është nisur presidentit në datë 26 shkurt nga Manjani, shoqërohet edhe me lutjen e Nazime Vishës, ku ajo sqaron kushtet e vështira familjare dhe fatin e saj që s'ka mundur të gëzojë një fëmijëri si të gjithë moshatarët.
?Arsyeja që e bëj këtë kërkesë, është se unë nuk kam gëzuar kurrë si moshataret e mija pasi jeta ime ka qenë në çdo moment e vështirë dhe e ashpër. Jeta në familjen time është shumë e vështirë, babai aq sa punon nxjerr të ardhura vetëm për ilaçet e mamit pasi ajo është e sëmurë si dhe kam një vëlla të vogël 5-vjeçar. Ju lutem më jepni një mundësi të tregoj që unë jam një njëri me vlera dhe mos braktisem", mbyll letrën e saj për Presidentin Nazimja.