Partia Demokratike ankimon sot në Gjykatën Kushtetuese ligjin e pronave, pasi e konsideron si anti-kushtetues, sakohë që ai nuk ka siguri e barazi, por mbi të gjitha nuk i njeh pronën ish pronarëve.
Partia demokratike kërkon që ky ligj të shfuqizohet, ashtu siç kërkoi edhe Presidenti i vendit, Bujar Nishani dhe Partia Republikane.
Menjëherë pas dërgimit të ligjit në Gjykatën Kushtetuese, kanë folur për mediat deputetët Jorida Tabaku e Oerd Bylykbashi të cilët kanë theksuar se ai shfuqizon dhjetra mijëra vendimet që janë marrë deri tani për ish pronarët.
Ndërkohë, Oerd Bylykbashi ka shtuar se, PD nuk mund të pranojë që me këtë ligj të ndodhë rishpronësimi i pronarëve.
Një pikë tjetër mjaft e debatuar e ligjit ka të bëjë me faktin se të gjitha vendimet për kompensim në favor të pronarëve, të miratuara nga viti 1993, do të zbatohen sipas formulës së re, dhe jo sipas ligjit me të cilin janë miratuar.
Një formulë e tillë e ul faturën financiare të Qeverisë për kompensimin e ish pronarëve nga 8 miliardë dollarë në 2 miliardë dollarë. Ligji u kundërshtua ashpër nga shoqatat e ish pronarëve, ashtu si dhe nga opozita.
Nga ana tjetër, lidhur me kushtetueshmërinë e ligjit pritet të shprehet edhe Gjykata e Strasburgut.