Report TV - Nishani sërish në Kushtetuese "Të pezullohet ligji i pronave"

Report TV 2016-02-23

Views 0

Siç kishte paralajmëruar, Presidenti ka dërguar në Gjykatën kushtetuese Ligjin e ri për Trajtimin e pronës, i cili hyri vetëm para pak ditësh në fuqi. Në kërkesën dërguar gjykatës, kreu i Shtetit e vlerëson ligjin antikushtetues, duke qenë se cënon rëndë parime të rëndësishme si: siguria juridike, barazia para ligjit, apo të drejtat e pronësisë.

Sipas Institucionit të Presidentit skema e ofruar përmes këtij Ligji për zgjidhjen e problemit sistematik dhe të përsëritur në lidhje me mosekzekutimin e vendimeve në lidhje me kompensimin e pronarëve që kanë një vendim përfundimtar administrative apo gjyqësor bie ndesh me parimin kushtetues të sigurisë juridike dhe nuk është aspak efektive siç kërkohet nga Gjykata e Strasburgut.

Ligji i ri për Kthim-Kompensimin e pronave u miratua në fund të vitit të shkuar mes debateve të ashpra, për të hyrë në fuqi pak ditë më parë. Momenti më i debatueshëm i ligjit të ri, është vendimi për të kompensuar pronarët sipas zërit kadastral që ka pasur një tokë në çastin e shpronësimit të pronarit.

Më konkretisht, ai pronar që ka pasur tokë truall në vitin kur është shpronësuar, do të kompensohet për tokë truall në 2015. Ndërsa ai pronar që ka pasur tokë bujqësore në vitin e shpronësuar, do të kompensohet për zërin kadastral tokë bujqësore në vitin 2015, pavarësisht se sot ajo është truall me vlerë shumë më të madhe.

Një pikë tjetër mjaft e debatuar e ligjit ka të bëjë me faktin se të gjitha vendimet për kompensim në favor të pronarëve, të miratuara nga viti 1993, do të zbatohen sipas formulës së re, dhe jo sipas ligjit me të cilin janë miratuar.

Një formulë e tillë e ul fatrrën financiare të Qeverisë për kompensimin e ish pronarëve nga 8 miliardë dollarë në 2 miliardë dollarë. Ligji u kundërshtua ashpër nga shoqatat e ish pronarëve, ashtu si dhe nga opozita.

Nga ana tjetër, lidhur me kushtetueshmërinë e ligjit pritet të shprehet edhe Gjykata e Strasburgut.

Share This Video


Download

  
Report form