Kryeministri Edi Rama njoftoi zhbllokimin e lejeve të ndërtimit, bllokuar para dy vitesh si masë parandaluese ndaj informalitetit. Nga dje kreu i qeverisë njoftoi hapjen e tyre, pasi lufta ndaj informalitetit ka rritur forcën e sipërmarrjeve shqiptare.
Për të treguar këtë, kreu i qeverisë, i shoqëruar nga ministri Ahmetaj dhe drejtoresha e Tatimeve, Shehaj, ka vizituar një fabrikë 100% shqiptare që është kthyer në një prej sipërmarrjeve më të mëdha në Ballkan në prodhimin e tregtimin e tullave.
Duke e konsideruar fabrikën një histori suksesi që po preket në shumë sipërmarrje, Rama theksoi edhe njëherë angazhimin e qeverisë për formalizimin e ekonomisë dhe shmangien e konkurrencës së pandershme.
Ndërkohë gjiçka mori rrugën zyrtare me letrën e ministres së Rregullimit të Territorit, Eglantina Gjermeni drejtuar krerëve të bashkive që të mos bllokohen lejet e ndërtimit. Ku bashkitë e vendit kanë mundësinë dhe përgjegjësinë ligjore të japin leje ndërtimi, me përjashtim të rasteve kur kërkesa nuk përmbush kushtet ligjore.
Gjermeni u rikujton atyre se dhënia e lejeve nuk duhet të kushtëzohet nga procesi i hartimit të planeve të cilat do të jenë gati vetëm në muajin korrik.