VLORË - Banorët e Orikumit, Dukatit e Radhimës u ngritën në protestë këtë të hënë, kundër 2 projekteve private që do të ndërmerren në gadishullin e Karaburunit dhe në zonën e Radhimës. Pas ketij të fundit ata akuzojnë se fshihet deputeti socialist Koço Kokëdhima. Një pjesë e mirë e banorëve në protestë kanë pronat e tyre në zonat ku janë parashikuar projektet. Ndaj ata nuk shprehen kundër investimeve në këtë zonë turistike, por thonë se më parë duhet marrë edhe mendimi i tyre.
Banorët u mbështetën edhe nga përfaqësues dhe deputetë të Partisë Demokratike, si Jamarbër Malltezi dhe deputetja e Vlorës Liljana Elmazi. Malltezi hodhi akuza për lejimin e ndërtimit të kompleksit te pishinave dhe një moli, qei sipas tij nuk do të shërbejë për pushuesit, por për pushtetarët. Në të njëjtën linjë me banorët edhe Malltezi u shpreh kundër projektit "të lordit të Vlorës", siç ai quan deputetin socialist Kokëdhima.
Ndërkohë, projekti i dytë që ka hasur kundërshtinë e banorëve, është edhe ai për ngritjen e 5 vaskave të peshkimit në Karaburun, zonë e mbrojtur ushtarake në të cilën vitet e fundit janë hapur disa restorante për turistët. Projekti sipas banorëve po i jepet me koncesion një firme turke dhe vetëm ndërtimi i një vaskë sipas tyre do të zë 80 hektarë.
Edhe Jamarbër Malltezi e ka kundërshtuar ndërtimin e impiantit të rritjes dhe përpunimit të peshkut në gjirin e Karaburunit. Sipas tij ndërtimi i këtyre vaskave do të rrezikojë parkun detar Karaburun-Sazan. Ai tha se turizmi në gjirin e Vlorës do të shkatërrohet pasi plazhi do të kthehet në kënetë.
Banorët të cilët gjatë zhvillimit të protestës bllokuan aksion Orikum-Radhimë thanë se nuk do të ndalin protestat deri sa të merren parasysh kërkesat e tyre.
Ndërkohë, teksa ka shkuar në këtë zonë për të ndjekur protestën, gazetari i Report TV Armand Xhelili ka mësuar se Orikumi, Llogaraja dhe Radhima kanë 24 orë pa drita.