PORTO PALERMO- Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka shembur resortin 'Panorma' në pronësi të kushëririt të ish-deputetit Koço Kokëdhimës, (tashmë kryetar i Partisë ZGJIDHJA) ndërtuar buzë detit në Porto Palermo.
Resorti i Mihal Kokëdhimës që ishte pa leje është rrafshuar nga fadroma e IKMT që kanë punuar për më shumë se dy orë në mënyrë mekanike. IKMT njofton se ky subjekt 2000 m2 shfrytëzonte pa leje edhe zonën e plazhit duke u marrë para pushuesve që zgjidhnin të qëndronin aty. Po ashtu burime për Report Tv bëjnë me dije se në objektin në pronësi të Mihal Kokëdhimës, kishte edhe dhoma për pushuesit duke e kthyer restorantin e tij si një hotel, kundrejt pagesës. Kështu rëndohet akoma më shumë shkelja e Mihal Kokëdhimës. Gjatë aksionit për prishjen e resortit të Mihal Kokëdhimës nuk janë shënuar incidente, pasi të pranishmit në këtë restorant janë larguar ndërsa perimetri është ruajtur nga forca të shumta të policisë. Në përfundim IKMT ka njoftuar se aksioni për prishjen e banesave pa leje do të vazhdojë përgjatë të gjithë vijës bregdetare.
Restoranti i Mihal Kokëdhimës, vijonte punën edhe pse ishte pa leje, deri pas incidentit të ndodhur disa ditë më parë në Porto Palermo, ku Kokëdhima sulmoi familjen e milionerit spanjoll Eugenio Galdón, që kishin ardhur të ushqeheshin në restorantin e tij. Në videon që Report Tv siguroi Mihal Kokëdhima për rreth 3 kilometra u ngjit mbi kofanon e makinës që po udhëtonin turistët spanjollë dhe i terrorizoi duke thyer xhamin dhe duke i ofenduar. E gjithë kjo skenë vetëm pasi ata kishin mbetur të pakënaqur nga sjellja dhe shërbimi në restorantin pa leje të Kokëdhimës.
Pavarësisht tentativës së Bashkisë së Himarës për ta shembur në vitin 2012 si objekt pa leje nga autoritetet, biznesi vijon të ushtrojë aktivitetin për vite me radhë mbi pronë publike. Ndërsa vetë pronari Mihal Kokëdhima pasi ka dhunuar familjen e miliarderit spanjoll Eugenio Galdón, dhe shoqëruesit shqiptarë, Mihal Kokëdhima është lënë nën masën 'arrest me burg'. Kokëdhima nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë pasi ai u fal, pas dy gjyqesh për vjedhje energjie dhe ndërtim pa leje...por nuk ka bërë asnjë ditë burg.