72 orë nga atentati mafioz me 3 të vdekur e 8 të plagosur në Elbasan, prokuroria e këtij qyteti regjistron krimin si vepër penale pa autor. Burime nga akuza thanë për Report Tv se ngjarja është regjistruar si ?vrasje në rrethana cilësuese kryer në bashkëpunim?.
Pas atentatiti të së mërkurës mbrëma ku ndaj lokalit të Agron Çapes u qëlluan 65 plumba kallashnikovi, policia dhe grupi hetimorë nuk kanë mundur të zbardhin autorët nga tre kamerat e sigurisë së lokalit.
Kjo, sqarojnë hetuesit pasi në momentin e atentatit kamerat kanë një shkëputje të regjistrimit dhe ajo që dallohet janë vetëm flakët e plumbave.
Një burim i rezervuar nga grupi hetimor i tha ReportTv se aktualisht është bërë një plan masash për të kontrolluar deri në mes të javës së ardhshme të gjitha serviset, garazhdet dhe parkimet e ndodhura në Elbasan, Librazhd dhe zonat përrreth ku dyshohet se autorët kanë fshehur automjetin.
Një tjetër rezultat që po pret grupi i hetuesve për të zbardhur këtë krim është dhe ekspertiza balistike e 3 armëve kallashnikov për të parë nese janë përdorur apo jo në ngjarje kriminale të mëparshme.
Mbrëmjen e së mërkurës në Elbasan u shënua një masakër e vërtetë ku ndaj 11 personave u qëllua me armë kallashnikov si pasojë e të cilave mbeti i vdekur Agron Capja, Ardit Sinakolli dhe Eno Bedalli.
Nga dëshmitë e mbledhura deri në këtë fazë të hetimit rezulton se të plagosurit kanë deklaruar për policinë të njëjtën përgjigje duke thënë se nuk i kanë fiksuar autorët pasi ata janë afruar me automjet me drita të fikura.
Masakra, sqaron Policia e Elbasanit mund të ishte më e rëndë nëse karikatori i gjetur me mbi 40 fishek të pa përdorur do kish qëlluar sërish mbi Çapjat.