POGRADEC - Shpërthimi tragjik në lokalin në qendër të fshatit Beragozhde të Dardhasit ku u shënuan 33 të plagosur rëndë, nxjerr në pah një problem të kahershëm në vendin tonë me bombolat e gazit që përdoren për gatim dhe ngrohje. Njëra nga dy bombolat që ndodheshin në lokal, ka qenë e dëmtuar me plasaritje çka ka shkaktuar rrjedhje gazi. Policia thotë se ka qenë një pakujdesi nga ana e pronarit të lokalit që ka sjellë shpërthimin tragjik pasditen e së hënës rreth orës 18:00, por pa saktësuar veprimin e tij. 20-vjeçari Romario Muçka është vënë në pranga me akuzën e "plagosjes së rëndë nga pakujdesia dhe për shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse". Njëra nga bombolat ka qenë në gjendje pune, ndërsa tjetra ka qenë e dëmtuar.